Ky koleksion karakterizohet nga larmia e tij, pasi përbëhet nga objekte të veshjes popullore femërore nga Kërçova dhe rrethina, si dhe nga bizhuteri tradicionale, objekte shtëpiake dhe sende të tjera të punuara nga materiale të ndryshme. Ai përfaqëson një dëshmi të rëndësishme me interes të gjerë për studimin e rrethanave shoqërore, ekonomike dhe kulturore gjatë një periudhe të gjatë kohore, jo vetëm në Kërçovë dhe rrethinë, por edhe më gjerë.
Në një pjesë të veçantë të muzeut është vendosur një ekspozitë e vogël etnologjike, në të cilën janë paraqitur disa nga veshjet popullore të Kërçovës dhe rrethinës, si dhe disa objekte metalike: pjatë, lugë të vogla, pafta, unaza, rripa dhe bizhuteri të tjera.

